Ka mbetur në burg Agim Ajdinaj, 51-vjeçari shqiptar i akuzuar për vrasjen e partneres së tij marokene Khadija Bencheickh, 46-vjeçe, ndërsa nipi i tij është liruar nga qelia. Ky i fundit akuzohet si bashkëpunëtor në copëtimin e trupit të gruas dhe transportimin e saj në një zonë me ullishte në Gardoni.

Trupi i gruas i masakruar në disa pjesë u gjet i braktisur në një zonë me ullishte në Valeggio sul Mincio, në lokalitetin Gardoni (Verona), ku u gjet mbrëmjen e 30 dhjetorit. Sot, gjykatësja e gjykatës në Verona, Paola Vaça ka shpallur të ligjshëm arrestimin e Ajdinajt dhe nipit të tij Lisand Ruzhdija, 27 vjeç. Megjithatë, masa e arrestit me burg u vendos vetëm për 51-vjeçarin, ndërsa nipi i tij është liruar nga qelia. Ai do të hetohet në gjendje të lirë.

Ndërkohë, këtë të hënë, karabinierët kanë vijuar hetimet në banesën ku jetonte 51-vjeçari shqiptar dhe gruaja marokene, që ndodhet pranë stadiumit ”Bentegodi”. Dyshohet se gruaja është vrarë mbrëmjen e 29-dhjetorit teksa flinte.