Lidhur me ngjarjen e mesditës së kësaj të shtune, ku mbeti i vrarë Arjan Ferracaku, biznesmeni 30 vjeçar, ka reaguar edhe Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, përmes një statusi në faqen e saj zyrtare në Facebook. Ademi është shprehur se Shkodra po përjeton periudhën më të vështirë ku krimi po bën ligjin. Ajo i bën apel Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama të mbaj përgjegjësi për të gjitha vrasjet e ndodhura në tre muajt e fundit në qytetin e Shkodrës.

Reagimi i plotë:

“Shkodra po përjeton periudhën e saj më të vështirë ku krimi po bën ligjin!

Në më pak se tre muaj janë 6 të vrarë dhe dy persona të zhdukur në territorin e Bashkisë së Shkodrës.

Ankthi për jetën dhe të nesermen po zbret frikshëm në këtë rajon.

Si nënë, motër, grua, si kryetare e Bashkisë së Shkodrës i drejtohem kryeministrit të Shqipërisë, e Qeverise: Mjaft më! Ju mbani përgjegjësi për këtë që po ndodh!

U drejtohem të gjitha forcave politike, deputetëve e medias, përfaqësive ndërkombëtare në Shqipëri: Ju s’mund të qëndroni indiferent! Askush nuk mund të qëndrojë indiferent! Për fëmijët dhe familjet tona, për të ardhmen tonë e të Shkodrës tonë!

Shkodra nuk është dhe nuk duhet të jetë kurrë kjo e tre muajve të fundit, nuk duhet ta lëmë të hyjë në një rrugë pa kthim.” – ka pëfunduar Ademi.

Artikulli paraprakPOLICIA E SHKODRËS JEP DETAJE PËR VRASJEN E 31-VJEÇARIT
Artikulli tjetërTOPALLI: SHKODRA, QYTETI IM, NË PUSHTETIN E KRIMIT