Që të dielën pasdite komshinjtë kanë dëgjuar të shtënat e kallashnikovit në banesën ku jetonte Fadil Bandula i cili vrau bashkëshorten Sanije Bandula dhe më pas veteveten por kanë patur frikë që të telefonojnë policinë. Për tri ditë me radhë dy trupat e pajetë qëndruan brenda shtëpisë në lagjen “Ahmet Haxhija” ndërsa askush nuk mori guximin që t’i trokiste në derë apo të njoftonte policinë.

Vetëm pas tri ditësh pasi trupat janë dekompozuar dhe nisën të lëshojnë një erë të rëndë si shkak edhe i temperaturave të larta një prej komshinjve ka parë nga lartësia prej banesës së tij, shtetasen Sanije Bandula të shtrirë në tokë dhe oborrin plot me gjak.

Vetëm në atë moment ky komshi ka njoftuar policinë duke i treguar për skenën makabër që kishte përjetuar dhe më pas efektivët kanë mbërritur në vendngjarje duke konstatuar trupin e pajetë të 83 vjeçares në oborrin e shtëpisë dhe pak më tutje brenda banesës edhe 79 vjeçarin që qëlloi veten pasi kishte vrarë bashkëshorten.

Sipas burimeve pranë policisë së Shkodrës kohët e fundit çifti Bandula kanë bërë shpesh debate ndërsa dyshohet se edhe pak çaste përpara se të dëgjoheshin të shtënat, komshinjtë kanë dëgjuar tonet e ngritura të zërit mes dy të moshuarve.

Po ashtu dyshohet se 79 vjeçari një ditë përpara se ta vriste bashkëshorten dhe më pas të qëllonte edhe vetveten e ka dhunuar fizikisht gruan e tij e cila ka përfunduar edhe në urgjencën e spitalit rajonal të Shkodrës. Pasi ka marrë mjekim është larguar.

Sipas dyshimeve policia e Shkodrës ka patur dijeni për dhunën e ushtruar nga 79 vjeçari ndaj gruas së tij, ngjarje e cila përfundoi në mënyrën më tragjike të mundshme me një vrasje të dyfishtë në krimin brenda familjes. Edhe më përpara 79 vjeçari dyshohet se ka dhunuar gruan e tij dhe prej kohësh ky çift kishin mosmarrëveshje me njëri-tjetrin.

Tre fëmijët e tyre jetojnë jashtë Shqipërisë në Amerikë dhe Gjermani dhe prej 5-6 vitesh dy të moshuarit jetonin të vetëm në banesën e tyre. Policia dhe prokuroria e Shkodrës vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të rëndë të ndodhur në Shkodër.