Nëntëmbëdhjetë vjeçarja shqiptare në Tuz të Malit të Zi Sheila Bakija u vra me armë, ndërsa babai i saj Shaban Bakija 42 vjeç u plagos rëndë dje nga të shtëna në Karabuško në Tuz. Njëzet e tetë vjeçari Ilir Gjokaj ka qëlluar mbi ta me armë, sipas policisë. Gjokaj është ish i fejuari i viktimës. Pas vrasjes autori i dyshuar Gjokaj iku në qendër të Tuzit me një makinë “Audi”, dhe më pas në këmbë në një drejtim të panjohur. Hetimi përfundoi rreth orës 6 pasdite, pas së cilës punonjësit e policisë vazhduan të ndiqnin gjurmët nga automjeti i përdorur nga i dyshuari. Prokurorja e lartë shtetërore Ana Radović i tha medias malazeze Vijesti se rreth orës 15:30, Qendra e Sigurisë në Podgoricë u informua se armët e zjarrit ishin përdorur në Karabuško Polje. Ajo shtoi se hetimi është kryer edhe në një automjet Audi në qendër të Tuzit, në lidhje me veprën penale të kryer në Karabuško polje.

“Audi” i përdorur nga i dyshuari ka targa të Herceg Novi. Gjatë ditës së sotme pas vrasjes së 19 vjeçares shqiptare, në komunën shqiptare të Tuzit në Malin e Zi u zhvillua një protestë e organizuar nga shoqëria civile me qëllim mbështetjen e familjes së viktimës si dhe vënien e drejtësisë në vend për të parandaluar kështu edhe më shumë jetë për shkak të dhunës nga këta vrasës të pamëshirshëm. Protesta nisi përpara ndërtesës së policisë në Tuz e organizuar nga Lëvizja Zhvillimore Tuzi dhe Qendra për të Drejtat e Grave duke kërkuar një hetim urgjent për këtë rast të rëndë duke qenë se më përpara 19 vjeçarja e vrarë kishte raportuar dhunën fizike në polici nga 28 vjeçari Gjokaj i cili qëlloi me armë duke e lënë të vdekur në vend. Ndërsa autori i dyshuar vijon të jetë në kërkim drejtoresha e Shtëpisë së Grave të Sigurta, Ljiljana Raičević, tha se përmes punës, ata janë përballur me ngjarje të tilla të paktën një herë në vit në 20 vitet e fundit.

Kjo do të ndodhë, tha ajo, derisa politikat e Prokurorisë dhe policisë në Malin e Zi të ndryshojnë. Mustafa Pepić nga Lëvizja Zhvillimore Tuzi tha se me protestën ata donin të dërgonin një mesazh se familja Bakija nuk është e vetme. Ai vuri në dukje se protestuesit duan të bëjnë presion mbi institucionet për të bërë punën e tyre. Protesta zgjati 19 minuta që përkon me moshën e shqiptares Sheila Bakija që u vra në Tuz nga ish i fejuari i saj.