Një atentat i organizuar me kujdes i mori jetën 40-vjeçarit Aleksandër Koçeku përgjatë aksit Kir–Prekal në Shkodër. Në vendngjarje, grupi hetimor ka sekuestruar 25 gëzhoja automatiku, të gjitha të qitura nga e njëjta armë, çka tregon se autori ose autorët kanë vepruar me një plan të mirëorganizuar dhe kanë synuar eliminimin e viktimës.

Sipas hetimeve paraprake, Koçekut i është zënë pritë teksa lëvizte me automjet. Ai është qëlluar me breshëri dhe ka humbur jetën në vend. Viktima u gjet nga një kalimtar i rastësishëm, i cili njoftoi menjëherë policinë. Ekspertët kanë kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes, ndërsa po analizohen çdo provë materiale që mund të çojë në identifikimin e autorëve.

Megjithëse hetimet janë ende në fazën fillestare, burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se pista kryesore lidhet me konfliktin mes familjeve Koçeku dhe Shkambi, i hapur që prej vitit 2017. Atëherë, Artan Koçeku, vëllai i viktimës së sotme, vrau me armë zjarri Angjelin Shkambin.

Familjarët e Aleksandër Koçekut e lidhin atentatin pikërisht me këtë konflikt. Sipas tyre, 40-vjeçari jetonte prej vitesh nën frikën e hakmarrjes dhe lëvizte gjithmonë me kujdes. Deklarimet e tyre kanë forcuar dyshimet e hetuesve se ekzekutimi mund të jetë kryer në kuadër të gjakmarrjes.

Paralelisht, Prokuroria po verifikon edhe një tjetër element të rëndësishëm. Aleksandër Koçeku ishte person nën hetim në dosjen për vrasjen e 19-vjeçarit Pavlin Preka, ngjarje e ndodhur në shkurt të vitit 2025.

Ndërkohë, hetuesit po administrojnë pamjet e kamerave të sigurisë përgjatë itinerarit të ndjekur nga viktima, pasi zona ku ndodhi atentati nuk monitorohet me kamera. Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet në disa pista, me fokus dokumentimin e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe arrestimin e autorit ose autorëve të ekzekutimit.

 

https://youtu.be/dQbwswcpRrw

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakGRUDË E RE, NIS RIKONSTRUKSIONI I RRUGËS “PJERUSHI”
Artikulli tjetërKANABISI, KONTROLLE NË QARKUN LEZHË