Vrasja e një polici në Lezhë ka tronditur Shqipërinë gjatë ditës së sotme. Efektivi i policisë së Lezhë Saimir Hoxha ishte duke kontrolluar për kultivim të kanabisit zonën e Kune Vainit por u qëllua me plumba duke u vrarë në krye të detyrës. Forcat e policisë kanë identifikuar autorin e kësaj vrasje të rëndë, 21 vjeçarin Aldi Rama për të cilin forca të shumta policie në gjithë vendin janë angazhuar për kapjen e tij.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:30 të ditës së sotme bën të ditur policia në vendin e quajtur Ishull Lezhë teksa autori ka qëlluar në drejtim të grupit policor për kontrollin e territorit për parandalimin e bimëve narkotike. Fillimisht polici 44 vjeçar Saimir Hoxha mbeti i plagosur rëndë por më pas humbi jetën rrugës për në spitalin rajonal të Lezhës. Shërbimet e Policisë kanë rrethuar të gjithë zonën me qëllim kapjen e autorit.

Në ndihmë të Policisë lokale janë forcat speciale Renea, grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e autorit të dyshuar ndërsa janë ngritur postoblloqe të shumta për gjatë aksit Tiranë-Lezhë por edhe në rrugë të tjera. Autori i dyshuar 21 vjeçari Aldi Rama dyshohet se u largua me automjet tip “Volksëagen” ndërkohë Policia i është vënë nga pas.

Po ashtu po bëhen kontrolle edhe nga ajri me helicopter. Mësohet se me urdhër të drejtorit të qarkut të policisë së Lezhës një grup oficerësh krimesh shkuan për kontroll territori në ishull Lezhë pas dyshimeve se mund të kishte kultivim lëndësh narkotike. Grupi përbëhej nga oficerë krimesh mes të cilëve ishte dhe nënkomisari Saimir Hoxha. Brenda zonës së mbrojtur në Kune Vain u konstatua mjeti i 21-vjeçarit Aldi Rama. Policia i bëri shenjë të ndalonte dhe oficeri Saimir Hoxha shkoi për të kryer verifikimin e drejtuesit të mjetit, kur ky i fundit qëlloi ndaj oficerit të policisë në një distancë të afërt.

Menjëherë pasi ka qëlluar oficerin, 21-vjeçari është larguar me mjetin e tij. Skena është parë nga kolegët e Saimir Hoxhës të cilët i kanë dhënë të dhënat e targës së mjetit dhe përshkrimin e drejtuesit të saj që bëri të mundur identifikimin në kohë rekord të autorit të ngjarjes. Aldi Rama ka qenë pasagjer në sediljen e pasme në atë makinë. Drejtuesi i mjetit dhe një pasagjer tjetër kanë zbritur nga makina dhe 21 vjeçari ka marrë mjetin dhe është larguar dhe rreth 3 kilometra e ka braktisur mjetin.

Plumbi e ka kapur në zemër efektivin 44 vjeçar, i cili ka ndërroi jetë rrugës për në spital. Saimir Hoxha, oficeri i krimeve në Policinë e Lezhës ishte sot në terren si çdo ditë të punës për të kryer detyrën e tij, por nuk u kthye më nga kjo detyrë. Hoxha, ishte babai i dy fëmijëve të mitur dhe kishte një karrierë relativisht të gjatë në Policinë e Shtetit ndërsa është edhe vëllai i kryetares së gjykatës së Pukës, Flutura Hoxha.

Policia e Shtetit kërkon edhe bashkëpunimin e qytetarëve dhe vendosi një shpërblim në këmbim të informacioneve të vlefshme për kapjen e autorit të vrasjes së oficerit të Krimeve në lezhë një shumë prej 20 mijë për këdo që jep informacion të saktë ndërsa mund të telefonojnë në numrin 0694110853.