
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç duket i tronditur pas paralajmërimeve për sanksione të reja nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai i është drejtuar me një mesazh të qartë lutjeje Uashingtonit, gjatë një vizite në Uzbekistan.
“E kuptuam mesazhin. Nuk jam komunist, nuk jam fashist, nuk kam marrë asgjë nga askush”, tha Vuçiç, duke shtuar se nuk është gati të bëjë kompromis për industrinë e naftës NIS, e cila kontrollohet kryesisht nga Rusia.
Kreu i shtetit serb u përpoq të paraqitej si mbrojtës i qytetarëve, duke folur për një dimër të vështirë dhe duke u vetëshpallur si garant i stabilitetit. Megjithatë, mesazhi i tij dukej më shumë si një apel ndaj Shteteve të Bashkuara për të shmangur goditjen ekonomike.
“U kërkoj partnerëve tanë amerikanë të mos vendosin sanksione dytësore ndaj institucioneve tona financiare. Të na lënë kohë deri në mesin e dhjetorit”, tha Vuçiç.
Analistët vlerësojnë se paralajmërimet për sanksione lidhen me dy arsye: e para, përpjekjet e Serbisë për të ndihmuar Rusinë të anashkalojë sanksionet perëndimore; dhe e dyta, si presion për të frenuar çdo aventurë destabilizuese në rajon, veçanërisht ndaj Kosovës. Pavarësisht toneve të buta ndaj Washingtonit, qëndrimi i Vuçiçit tregon tensionin e rritur në marrëdhëniet mes Serbisë dhe SHBA-ve, në një moment kur Beogradi gjendet mes presioneve të Perëndimit dhe lidhjeve të forta me Moskën.






