“Washington Post”: ‘Bunk’Art2’, Muzeu i persekutimit shqiptar

SHBA-Hapja e muzeut ‘Bunk‘Art 2’ në Tiranë ka bërë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare. “Ish bunkeri bërthamor shndërrohet në muze të persekutimit shqiptar”, është titulli i shkrimit që prestigjozja “The Washington Post” i ka kushtuar këtij muzeu që tashmë i tregon vizitorëve se si ish-Sigurimi i Shtetit gjatë epokës komuniste persekutonte kundërshtarët e regjimit. “The Washington Post” i bën një përshkrim të mirëfilltë përmasave të bunkerit të ndërtuar mes viteve 1981-1986 për të strehuar policinë elitë dhe stafin e Ministrisë së Brendshme në rast të një sulmi bërthamor. “Washington Post” shkruan se muzeu “Shtylla” referuar emrit në kod të bunkerit, është një prej shumë strehimeve që qeveria shqiptare ka vendosur të risjellë për publikun. “Një fortesë ishull dhe një tjetër bunker i nëndheshëm i ndërtuar për komandën e ushtrisë (referuar Bunkart 1) tashmë janë hapur për turistët, ashtu si dhe Shtëpia e Gjetheve, vila ku dikur qëndronte ish-policia sekrete e regjimit komunist e njohur si Sigurimi. Shumë të tjera mund të hapen nga seria e instalimeve ushtarake të një regjimi paranojak, izolacionist të diktatorit Enver Hoxha, i cili udhëhoqi me grusht të hekurt pas Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1990”-shkruan gazeta. “Washington Post” citon edhe kryeministrin Edi Rama, i cili u shpreh se këto muze të reja reflektojnë dëshirën e kabinetit të tij për të shlyer borxhin ndaj memorjes së ish të persekutuarve politikë, të harruar në këto 25 vitet e fundit. Edhe kuratori i këtij muzeu, Carlo Bollino ka folur për gazetën amerikane duke u shprehur se ky muze i jep mundësinë vizitorëve që të mësojnë për mënyrat se si regjimi komunist persekutonte kundërshtarët. “Ky është memoriali i parë për viktimat e terrorit komunist, thotë Bollino për “Washington Post”. Gazeta kujton edhe protestën e vitit të kaluar, ku mbështetës të Partisë Demokratike shkatërruan pjesë të replikës së bunkerit që ishte ndërtuar në hyrje të muzeut duke akuzuar qeverinë socialiste se po përpiqet të lartësojë të kaluarën e errët të vendit. Të çarat e shkaktuara nga protestuesit në hyrje, u lanë qëllimisht të pariparuara.