Punimet në bllokun e pallateve në lagjen “Xhabije” vazhdojnë të jenë të bllokuara. Edhe pse afatet për përfundimin e rikualifikimit urban të kësaj zone janë tejkaluar tashmë prej muajsh, banorët vazhdojnë t’a kenë problematike lëvizjen. Sipas projektit, muaji mars i vitit të kaluar duhet t’i kishte dhënë fund problemeve në këtë bllok banimesh, megjithatë, edhe pse po vjen marsi i një viti më vonë, asgjë nuk është bërë.

E gjithë zoan vazhdon të jetë e mbushur me inerte, të cilat janë të lëna nga kompania kontraktuese. Shuma e akorduar në këtë projekt që mbështetet edhe nga Ministria e Zhvillimit Urban ishte mbi 38.5 milionë lekë të reja.

 Punimet në këtë bllok pallatesh nisën gjatë muajit gusht të vitit 2016 dhe kanë hasur një sërë peripecish. Fillimisht, projekti u bllokua për shkak të gjetjes së disa municioneve të vjetra në lagje, ndërsa më pas ishin vetë banorët të cilët kundërshtuan punimet. Aktualisht, përfundimi i punimeve është jashtë çdo afati, megjithëse duhet edhe shumë kohë që firma të bëjë dorëzimin.

Blloku i pallateve në “Xhabije” ka mbetur ende i papërfunduar për shkak edhe procesit të shpronësimit për disa prej objekteve, vendim i cili pritet të miratohet nga qeveria për nisjen e procedurave te shpronësimit për banorët. Përtej çfarëdolloj justifikimi të vazhdueshëm, të gjitha vonesat i vuajnë banorët, të cilët janë të detyruar çdo ditë të lëvizin në një lagjë të amortizuar.

Artikulli paraprak“DUDAS”, LAGJJA ME INFRASTRUKTURË TË DOBËT
Artikulli tjetërVLLAZNIA HANDBOLL PAJISET ME UNIFORMA TË REJA