Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian deklaroi se raporti i KE njeh punën e madhe që është bërë dhe konfirmon progresin e Shqipërisë.

Ajo theksoi se rekomandimet e KE do të mbeten në fokus të punës së qeverisë e të administratës.
“Shqipëria ka vazhduar të përmbushë të gjitha kushtet e përcaktuara në Konkluzionet e Këshillit të Marsit 2020. Vendi ka arritur progres të dukshëm në miratimin e acquis të BE-së në vitet e fundit.
Funksionimi i gjyqësorit, Shqipëria ka kaluar edhe vendet e rajonit që kanë gati një dekadë që negociojnë. Reforma gjithëpërfshirëse e drejtësisë ka rezultuar në progres të përgjithshëm të mirë. Reforma e administratës publike, Shqipëria rezulton me një nivel të moderuar përgatitjeje”, tha Xhaçka. Ajo theksoi më tej se sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Shqipëria ka bërë përgatitje të cilat kanë dhënë disa rezultate.

“Të drejtat themelore të njeriut, kemi përmbushur standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së tyre.
Kriteri ekonomik, vendi ka bërë progres të mirë dhe është mesatarisht i përgatitur për të zhvilluar një ekonomi tregu funksionale. Prokurimet publike, vendi ka bërë përparime duke miratuar legjislacionin zbatues. Rekomandimet e KE do të mbeten në fokus të punës së qeverisë e të administratës. Ecuria jonë në këtë grup kapitujsh, na jep mundësinë të ulemi më shpejt në Konferencën Ndërqeveritare hapëse të këtij grupimi. Në raport Shqipëria vlerësohet si një partnere aktive dhe e besueshme e BE. Jemi vlerësuar për përkushtimin e treguar në krijimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit proaktiv rajonal”, u shpreh ministrja. Sipas saj, raporti i KE nuk është një fletë lavdërimi, përcakton shinat mbi të cilat do të ecë puna jonë drejt integrimit.

“Uniteti në nivel kombëtar duhet të ruhet për suksesin e procesit sot dhe nesër. Detyrimi ynë i përbashkët është ta bëjmë realitet sa më shpejt anëtarësimin tonë në BE”, tha Xhaçka.

Artikulli paraprakDIALOGU DHE ÇËSHTJET E HAPURA MES PRISHTINËS DHE BEOGRADIT/ TAKOHEN VUÇIÇ DHE LAJÇAK, ZBARDHET DISKUTIMI
Artikulli tjetërMALI I ZI HEQ DORË NGA EUROVISION 2023, REAGIMI I KËNGËTARES SHQIPTARE QË DO I PËRFAQËSONTE