Deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Xhafaj në fjalën e tij në Kuvend e cilësoi si një lajm të mirë rritjen e buxhetit për SPAK, por ai u ndal edhe tek mungesa e investimeve. Xhafaj tha se sot dy vite pasi SPAK ka nisur punimet, është e papranueshme që flitet për mungesë zyrash. Po ashtu, Xhafaj një nga hartuesit e Reformës në Drejtësi, tha se mjediset aktuale të Gjykatës së Lartë janë në gjendje të mjerueshme.

‘Buxheti do ti japë një shtytje zhvillimit ekonomik dhe social. Vendimmarrja duhet të jetë gjithë përfshirëse. Lajm shumë i mirë rritja e ndjeshme buxhetit të SPAK. Le të shpresojmë të shohim rezultate më të mira, se ato që kemi parë deri tani në drejtësi. Buxhetimi për institucionet e drejtësisë nuk mund të jetë i ngjashëm me institucionet në varësi të egzekutivit.

E papranueshme që kur kanë kaluar 2 vite që nga fillimi punës së SPAK, flitet për mungesë zyrash për prokurorët dhe hetuesit e BKH-së. Ende nuk ka një përllogaritje në buxhet me ndryshimin e hartës gjyqësore. Nuk ka asnjë angazhim për rritjen e studentëve në shkollën e magjistraturës.

Mjediset aktuale në Gjykatën e Lartë janë në gjendje të mjerueshme dhe nuk po gjenden fonde për ndërtimin e një gjykate të re. Nuk duhet të mos shohim edhe anën tjetër, përgjegjshmërinë e vet institucioneve për buxhetin. Besoj se para së gjithash duhet të ndryshojë politikbërja për menaxhimin e buxhetit të këtyre institucioneve.

Njerëzit e drejtësisë janë sot njerëzit më të paguar në vend. Nuk janë dhuratë e askujt, janë investim nga taksat e qytetarëve të këtij vendi. Kërkojmë nga isntitucionet e drejtësisë më shumë përgjegjshmëri transparencë, luftë kundër krimit të organizuar dhe pandshkueshmërinë në nivele të larta, mbështetjen e buxhetit e keni.’- tha Xhafaj.