Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj priti Ministrin e Shtetit dhe Ministër i Brendshëm i Francës Gerard Collomb, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare dyditore në Tiranë. Ky takim në kryeqytetin shqiptar vjen pas dy të tillëve, mbajtur në Paris, në muajt korrik dhe nëntor të këtij viti.

Të dy ministrat vlerësuan marrëdhënien shumë të mirë të krijuar edhe në nivel vendimmarrës në Ministritë dhe Policitë e dy vendeve. Ministri francez e mbështeti kërkesën e ministrit Xhafaj dhe premtoi në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, atashimin pranë Policisë shqiptare të dy oficerëve të specializuar në luftën ndaj grupeve kriminale dhe pastrimit të parave, krahas atyre të ardhur nga SHBA dhe Gjermania. Ministri Xhafaj e njohu ministrin francez dhe i prezantoi prioritetet dhe dokumentin politik të punës së Ministrisë së Brendshme. Ai u ndal tek lufta antikanabis dhe nënvizoi se janë marrë masat për vitin 2018, dhe Shqipëria nuk do të jetë në listën e vendeve ku kultivohet kanabis.

Ministri Collomb vlerësoi rezultatet dhe shprehu besimin se do të jenë të qëndrueshme, duke theksuar se ato nuk janë një arritje pozitive vetëm për Shqipërinë, por edhe vendet e BE-së.