Xhafaj: S’kam punuar në strukturat e sigurimit dhe as organet e e hetimit në periudhën e komunizmit

 

Ministri i ri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhafaj thotë se nuk ka punuar asnjë ditë në strukturat e Sigurimit të Shtetit dhe as në organet e hetimit në periudhën e komunizmit, të cilat në atë kohë ishin pjesë e Ministrisë së Brendshme. Në një deklaratë të gjatë lëshuar për mediat nga zyra e shtypit e Partisë Socialiste, Xhafaj sqaron periudhën për të cilën është akuzuar ditët e fundit, duke i dhënë përgjigje kështu edhe Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. “Në vitin 1982 kam përfunduar studimet për drejtësi në Universitetin e Tiranës. Në shtator të atij viti jam emëruar Këshilltar Ligjor pranë Zyrës së Ndihmës Juridike në Gjykatën e rrethit Krujë. Në maj 1983 jam zgjedhur gjyqtar në Gjykatën e rrethit Krujë. Në qershor 1984 krijohet për herë të parë organi i hetimit penal, si institucion i veçantë dhe i pavarur nga institucione të tjera, pjesë e organeve të sistemit të drejtësisë të asaj kohe pranë prokurorive të rretheve, tërësisht i ndarë nga organet e hetimit të Ministrisë së Brendëshme. Po atë vit, në qershor, më emëruan në punë pranë këtij organi. Në këtë periudhë prej një vit e gjysmë, (qershor 1984 – dhjetor 1985), kam kryer edhe stazhin gjashtëmujor në prodhim, pranë Ndërmarrjes Bujqësore Krujë. Në fund të vitit 1985 jam larguar përfundimisht nga puna në organet e sistemit të drejtësisë në moshën 26-vjeçare. Sikurse del qartë nga këto fakte, asnjë ditë të jetës sime nuk kam shërbyer në strukturat e sistemit të Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme të asaj kohe dhe as në organet e hetimit që ishin pjesë e Ministrisë së Brendshme”, sqaron Xhafaj. Ai thotë se pretendimet e dy qytetarëve se janë dhunuar prej tij, janë të pavërteta dhe të porositura. “Një shtetas shqiptar me banim jashtë atdheut pretendon me mesazhe e telefonata të porositura se në vitin 1986, e paskam dhunuar apo torturuar, vit në të cilin, unë nuk kam qenë fare në punë në organet e drejtësisë të asaj kohe. Në janar të vitit 1986 kam filluar punë si drejtues i rinisë në Tiranë dhe ky fakt është i dokumentuar”, shkruan ai. Duke i cilësuar si shpifje gjithçka thuhet për të, Fatmir Xhafaj, thotë se akuzat bëhet në funksion të fushatës politike të ndërmarrë kundër tij. Xhafaj thotë se i ka kërkuar Partisë Demokratike që të hetonte rastin e tij, ndërsa shton se akuza të tilla janë pjesë e lojës së “ulët politike”. “Sa herë flasin me mua në Parlament, sigurisht në ambiente pa kamera, më thonë se nuk duhet t’i marrë seriozisht e as të shqetësohem, pasi në fund të fundit kjo është politika. Parimi makiavelik sipas të cilit “qëllimi justifikon mjetin” qëndron në themel të propagandës së Partisë Demokratike”, shton ai.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakKAPET SHEFI SHQIPTAR I ORGANIZATËS SË DROGËS NË ITALI ME 4000 KLIENTË
Artikulli tjetërARRESTOHET MASHTRUESI,PREZANTOHEJ SI DREJTUES I ALUIZNIT