Xhamia e Plumbit është rrethuaj nga uji.

As investimi i bërë nga bashkia Shkodër për një tubacion që mundëson kullimin e ujit në raste të tilla nuk po e bën efektin e duhur. Deri më sot ka patur edhe ndërhyrje të vogla por ende nuk ka ndonjë investim për mbrojtjen totale të xhamisë së plumbit. Në një monument shekullor me vlera të veçanta rrethimi i saj nga uji bën një kontrast të madh. Disa herë është thënë nga Prefektura e Qarkut Shkodër se uji nuk do të përmbyt më xhaminë e plumbit por vazhdon që të jetë e rrezikuar. Uji është në një nivel me derën hyrëse dhe në rast të reshjeve të dendura apo prurjeve më të mëdha nga lumenjtë apo hidrocentrali i Vau Dejësit fare thjeshtë mund të përmbytet dhe besimtarët nuk mund të falen. Xhamia e Plumbit e ndodhur në një situatë të tillë tregon se ndërhyrjet që janë bërë janë të pamjaftueshme ose nuk janë bërë siç duhet për ta shmangur rrethimin nga uji. Këtë vit pritet që të nis një investim madhor për rikonstruksionin e kësaj xhamie. Është qeveria turke ajo që e ka marrë përsipër pas një marrëveshje me Ministrinë e Kulturës e cila ka dhënë lejen për investimin duke qenë se gëzon statusin “monument kulture”. Bëhet fjalë për një shifër prej afro 2 milion dollar që do përfshijë rikonstruksionin e xhamisë por nuk është shumë e qartë nëse ka diçka të projektuar për të ndalur përmbytjen e përvitshme të xhamisë. Kohë më parë drejtues të asaj xhamie patën deklaruar se problem kryesor është pikërisht hidroizolimi por edhe thellësia nëntokësore që duhet të jetë 20 metër e po ashtu kërkohet edhe një pritë ndaj prurjeve të ujit në mënyrë që të mos përmbytet më. Edhe ky është një investim madhor që mudn të kërkojë miliona euro dhe në rast se nuk realizohet atëherë xhamia e plumbit do të vuaj sërish nga përmbytjet edhe pse qeveria e Turqisë do investojë për rikonstruksionin duke qenë se ndodhet e amortizuar dhe e dëmtuar në shumë pjesë të saj. Shumë projekte të tjera për drenazhim apo edhe mbrojtje të xhamisë së plumbit kanë shkuar dëm dhe mund të jetë abuzuar duke qenë se situata në çdo vit është e njëjtë sa herë ka reshje të dendura shiu apo prurje më të mëdha të lumenjve. Xhamia e Plumbit e ndërtuar në vitin 1773 rrëzë Kalasë së Rozafës në Lagjen Qafë të Shkodrës me një arkitekturë osmane dhe është Monument Kulture i Kategorisë së Parë.