Xhihadizmi online, ekspertët: Shqetësim serioz, të rinjtë bien pre

Propaganda online e xhihadizmit është një nga llojet e krimit kibernetik që është kthyer në një shqetësim për agjencitë ligjzbatuese botërore. Dokumentari “Cyberjihad” i regjisorit holandez Hans Busstra u shfaq në Akademinë e Sigurisë në Tiranë, ku oficerët e rinj u njohën me metodat që terrorizmi përdor për të rekrutuar luftëtarë. “Qëllimi i këtij dokumentari është që të tregojë se si terorrizmi, ose ISIS, mund të shpërndajë mesazhet e tij online. Mesazhet që ata përçojnë janë ato të xhihadit dhe se si mund t’i bashkohen ISIS, ndaj mendoj se ky është një kërcënim real sepse është shumë e vështirë që të luftohet, pasi është një betejë online. E rëndësishme është që të përçohet mesazhi se këto video të xhihadit janë false dhe se realiteti është krejt e kundërta”, deklaron Busstra. Edhe për ekspertët e sigurisë komjuterike në Policinë e Shtetit, propaganda e terrorizmit është një shqetësim serioz kryesisht për të rinjtë, të cilët bien lehtë pre e këtyre mesazheve. “Parandalimi është një fjalë shumë e madhe, por kujdesi ndaj shenjave të para të indoktrinimit sidomos tek minorenët duhet të jetë shumë i madh nga prindërit dhe nga personat që i rrethojnë, që kanë të bëjnë me shkollën, kujdestarët e tyre, shoqërinë”, thotë Hergic Jica, nga sektori kundër krimeve kompjuterike. Sipas agjencive të inteligjencës, ISIS ka një departament mediash profesionale të quajtura Al Hayat dhe cilësia e propagandës xhihadiste ka përparuar aq sa krahasohen me aksionin e Hollivudit