Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, shihet si njëri prej yjeve që do të jenë në Europianin e Francës verën e ardhshme. Në një artikull të veçantë në faqen e saj zyrtare, UEFA e cilëson 32-vjeçarin si lojtarin më të rëndësishëm të Shqipërisë.

“Një lider, i fuqishëm, lojtar që i ofron qetësi skuadrës, mbrojtës i frikshëm, tre here lojtari më i mirë i vitit në Shqipëri dhe lojtari i parë që ka mundësinë të shkojë në 100 paraqitje me fanelën kuqezi”, kështu nis shkrimi për Canën. UEFA kujton karrirën e Lorikut si dhe kampionatet në të cilat ka luajtur duke përfshirë Premier Leaguen e Serinë A si dhe 200 paraqitjet në kampionatin elitar francez ku vazhdon të luajë edhe sot me fanelën e Nantes. Me Kombëtaren që në qershor do të debutojë në Euro 2016 në Francë, eksperienca e Lorik Canës konsiderohet një ndihmë e madhe për ekipin, ndërsa rivalët nga Franca, Zvicra dhe Rumania e kanë të qartë se çfarë i pret përballë “luftëtarit” kuqezi. Lorik Cana ka debutuar në një miqësore me Kosovën, por debutimi në një ndeshje zyrtare shënohet në humbjen 3-2 përballë Zvicrës më 11 qeshor të vitit 2003. Deri më tani ka bërë 89 paraqitje për Kombëtaren duke shënuar një gol.  Cana nisi karrierën si mesfushor shkatërrues, mirëpo u rikthye në mbrojtje për të mbuluar hapësirat që u krijuan pas largimit të Besnik Hasit në vitin 2007.