Në vazhdën e festimeve për 85-vjetorin e aktores së madhe të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Tinka Kurti, në teatrin “Migjeni” u shfaq mbrëmjen e së dielës filmi “Yjet e së Ardhmes”. Një produksion ku në qendër të ngjarjeve janë një grup të moshuarish në një shtëpi azili, luajtur me mjeshtëri nga ikonat e aktrimit shqiptar si Tinka Kurti, Reshat Arbana, Margarita Xhepa, Luftar Paja, Ema Andrea, Gazmend Paja apo Elia Zaharia.

Publiku shkodran tejmbushi sallën e teatrit “Migjeni”. Aktorja e madhe Tinka Kurti shprehet mjaft e emocionuar për duartrokitjet e publikut shkodran. Regjisori i këtij filmi, Edmond Topi, duke shprehur falendërimet për interesin e filimit në Shkodër, u shpreh gjithashtu se aktorët e mëdhenj të kinematografisë shqiptare janë një thesar dhe çdo ditë që kalon pa xhiruar me ta, janë një humbje e madhe për artin në Shqipëri.

Filmi “Yjet e së Ardhmes” është një produksion i cili godet në shoqërinë shqiptare. Mesazhi i tij tregon qartë se moshat e treta janë një thesar i madh dhe potenciali i tyre nuk mbaron asnjëherë.

Artikulli paraprak“ZEMRA E KRISHTIT”, PANAIR ME RASTIN E FESTAVE
Artikulli tjetërLUMI KIR RRËZON SHTYLLAT E ENERGJISË