Ambasadorja amerikane Yuri Kim e cilëson ‘zhgënjyese’ lirimin nga burgu të ish ministrit Saimir Tahiri, i cili do të kryejë në shtëpi pjesën e mbetur të dënimit, 1 vit e 8 muaj. Në një reagim në Facebook, Kim thotë se vendimi që u dha sot për Tahirin është mënyrë e vjetër e sistemit të drejtësisë që nuk ndëshkon dhe privilegjon disa persona. Një mesazh duket se jep edhe për prokurorët e gjyqtarët duke thënë se do kenë pasoja veprimet e atyre që merren me dhënien ose pranimin e kërcënimeve për të ndihmuar miqtë e fuqishëm. Yuri Kim kujton edhe njëherë se SHBA e konsideron korrupsionin si kërcënim thelbësor të sigurisë shqiptare dhe duhet të refuzohet nga Shqipëria, vend aspirant për t’u bërë pjesë e BE.

“Shumë zhgënjyese të shohësh se mënyrat e vjetra të mosndëshkimit dhe privilegjimit për disa vazhdojnë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Këto mënyra të vjetra nuk janë të përshtatshme për një aleat të NATO-s dhe aspirantëve të BE-së dhe ato duhet të refuzohen me vendosmëri. SHBA e konsideron korrupsionin si një kërcënim thelbësor të sigurisë kombëtare. Ata që merren me dhënien ose pranimin e kërcënimeve dhe nxitjeve – për shembull, për të ndihmuar miqtë e fuqishëm – duhet të kuptojnë se veprimet e tyre do të kenë pasoja”, shkroi Yuri Kim.

Nga sot ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të vuajë pjesën e mbetur të dënimit në shtëpi dhe jo në një nga qelitë e burgut të Kosovës në Lushnje ku po vuante dënimin me 3 vjet e 4 muaj dhënë në muajin shkurt 2022. Vendimi për lirimin me kusht është marrë sot (2 qershor 2023) nga gjyqtarja e Gjykatës së Elbasanit, Matilda Fetahu e cila pranoi kërkesën e bërë nga avokatët e Tahirit, pesë muaj më parë. Kështu Saimir Tahiri u lirua nga burgu një vit e 8 muaj para përfundimit të dënimit “për shpërdorim detyre”. Shkak për vendimin u bë një raport i mjekësisë ligjore që shkruante se bashkëshortja e ka të pamundur për shkak të gjendjes shëndetësore dhe se ish-zyrtari i lartë do të kujdeset për dy fëmijët e mitur. Kështu Saimir Tahiri rifiton lirinë pas gati 16 muajsh në qeli. Dënimin e mbetur do ta kalojë në shtëpi dhe sipas vendimit të Gjykatës, mund të lëvizë nga banesa vetëm “për plotësimin e nevojave të domosdoshme familjare kur Shërbimi i provës është dakord”.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakTESTI I GJAKUT PËR 50 LLOJE KANCERI EMOCIONON SHKENCËTARËT, MUND TË ZBULOJË SËMUNDJEN NË FAZA TË HERSHME
Artikulli tjetër“NUMRI I ATYRE QË JANË TË KËNAQUR ME QEVERISJEN TONË, MINIMAL”, RAMA VIJON TURIN E FALËNDERIMEVE