“Jemi në gadishmëri të plotë për menaxhimin e situatës dhe bëjmë thirrje të gjithë aktorëve qendror e vendor, si edhe të gjithë komunitetit në Shkodër të bashkëpunojnë për të përballuar situatën kërcënuese nga përmbytjet”ka theksuar Mesi .

Në përgjigje të situatës së rënduar të përmbytjeve në nën Shkodër, ZëvendësKryeministrja Mesi ka inspektuar sot Njësinë Administrative Dajç, Shkodër. Në vizitën e saj dhe bashkëbisedimet me banorët e zonës, Znj. Mesi shoqërohej nga:

– Prefekti i Qarkut Shkodër, Z. Çesk Millja;- Deputeti i Qarkut Shkodër, Z. Luan Harusha;
– ZëvendësMinistri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Z. Dhimitër Kote;- Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Z. Shemsi Prençi;- Drejtori i Policise së Qarkut Shkodër, Z. Vehbi Bushati- Komandanti i Batalionit të Parë të Këmbësorisë së Forcave Tokësore të Vaut të Dejës, Z. Ali Mali.

ZëvendësKryeministrja Mesi u shpreh se: “Situata paraqitet e vështirë, mesatarisht kërcënuese, por jo kritike, dhe se Qeveria Shqiptare ka qenë dhe është plotësisht e angazhuar për tu ardhur në ndihmë banorëve”.

Më tej, Znj. Mesi falenderoi për punën me përkushtim gjatë kësaj situate emergjence strukturat operacionale të Ministrisë së Mbrojtjes, Forcat e Armatosura të Shqipërisë, Emergjencave Civile dhe të Policisë së Shtetit që janë në terren dhe në gadishmëri të plotë prej disa ditësh për tu ardhur në ndihmë të gjithë banorëvë të prekur.

Znj. Mesi theksoi se “Është e nevojshme që banorët të reagojnë për të parandaluar përkeqësimin e situatës përmes zhvendosjes së gjësë së gjallë apo orendive shtëpiake, si dhe duke iu drejtuar menjëherë për ndihmë forcave ushtarake, të policisë dhe të emergjencës përmes numrave 127, 128 dhe 129”.

ZëvendësKryeministrja Mesi garantoi banorët se Qeveria Shqiptare do të marrë masat e nevojshme për evidentimin, vlerësimin dhe minimizimin e dëmeve të shkaktuara nga kjo fatkeqësi natyrore.

Në këtë moment, theksoi ajo, e rëndësishme është menaxhimi i situatës me sa më pak dëme dhe ardhja në ndihmë të menjëhershme për çdo banor dhe shpëtimi i çdo gjëje të gjallë.

“Sot erdhën 20 ton ushqime për gjënë e gjallë sipas kërkesës së komunitietit në këto zona. Ministria e Mbrojtjes po merr masat për blerjen e 107 ton ushqimeve për gjënë e gjallë për nevojat në vazhdim të zonave të përmbytura dhe ushqime dhe ujë të pijshëm”, shtoi Znj. Mesi.

Sikurse e ka përmendur edhe në inspektimet e saj të mëparshme në Obot dhe Anën e Malit gjatë ditëve të përmbytjeve, ZëvendësKryeministrja Mesi nënvizoi se “pasi të tejkalohet situata kërcënuese në të cilën gjendemi,

do të ngrihet një grup pune me aktorët në nivel vendor e qendror si edhe ekspertë të fushës në mënyrë të tillë që të bëhet një analizë e plotë e situatës dhe të ndërtohet një plan veprimi për parandalim dhe zgjidhje afatgjatë te përmbytjeve në Shkodër”.

Qëllimi jonë, u shpreh Znj Mesi, është gjetja e zgjidhjes afatgjatë e të qendrueshme, dhe jo vetëm menaxhimi i kërcënimit.

Artikulli paraprakPROKURORIA DO TË ANKIMOJË LIRIMIN E FRAN FRROKAJT
Artikulli tjetërMAKINA ME TRE GRA PËRPLASET ME NJË KAMION