Shkodra ka mirëpritur natën e parë të edicionit të 9-të të festivalit artistik “Za Fest”, që këtë vit nisi në ambientet e Muzeut Historik të qytetit
Në programin e parë u prezantua dokumentari “Udha”, me protagonistë Arbër Agalliun dhe Lorik Canën, një udhëtim emocional mes historisë, rrënjëve dhe përkatësisë në komunitetet arbëreshe të Italisë.

Publiku pati mundësinë të vizitojë edhe një ekspozitë të kuruar posaçërisht për këtë edicion, ndërsa atmosfera u ndez më tej nga performanca e këngëtarit Petrit Çarkaxhiu, që solli një përzierje emocionesh dhe tingujsh të ndjerë.

Në këtë nisje simbolike të festivalit ishte i pranishëm edhe ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, i cili theksoi rëndësinë që mbartin ngjarje të tilla për afrim kulturash dhe promovim vlerash europiane.

“Ndjej kënaqësi të veçantë që gjendem midis jush në Shkodër. Vlerat që përçon ky eveniment janë të njëjta me ato që ka edhe Bashkimi Evropian, vlera si: mosdiskriminimi, barazia, gjithëpërfshirja etj. Trashëgimia e Shqipërisë është pjesë e kulturës evropiane. Kjo merr një kuptim të madh duke parë sa shpejt po përparon Shqipëria me negociatat në Bashkimin Evropian.”

Ndërsa organizatorja Dojna Mema theksoi rritjen e festivalit në vite, duke e cilësuar atë një urë mes brezave dhe formave të ndryshme të artit.

“Za Fest” do të vijojë edhe në dy netët e ardhshme në kalanë Rozafa, me performanca muzikore dhe instalacione artistike që pritet të sjellin emocione të reja në qendrën kulturore të veriut.

Artikulli paraprakSHKODËR, NESËR TEMPERATURAT 41 °C
Artikulli tjetërMBYLLJA E URËS SË MILOTIT, PARALIZON QARKULLIMIN