Jane zbardhur rrethanat e incidentit të ndodhur mesditën e së shtunës në aksin rrugor Lezhë-Milot, pranë fshatit Gajush, ku një i ri u përball me policinë pasi refuzoi t’i bindet urdhrave të efektivëve të rrugores dhe tentoi të largohej me mjet.Ngjarja ndodhi rreth orës 12:00, kur Njësia Operacionale për Sigurinë Rrugore dhe Autostradat, gjatë patrullimit në këtë segment, i bëri shenjë për ndalim një automjeti që po kryente manovra të rrezikshme. Pavarësisht sinjalizimeve, drejtuesi i mjetit, shtetasi me iniciale J. D., 26 vjeç, banues në Lezhë, tentoi të largohej me shpejtësi.Pas verifikimeve, rezultoi se ai po drejtonte mjetin me leje drejtimi të pezulluar për një shkelje të mëparshme dhe gjatë përpjekjes për ta shoqëruar në Komisariatin e Policisë Lezhë, i riu refuzoi t’i bindet urdhrave dhe me veprimet e tij vuri në rrezik jetën e punonjësit të policisë. Në këto ksuhte njeri prej efektiveve, përdori armën e shërbimit duke qëlluar në njërën nga gomat e mjetit, për të neutralizuar situatën.Pas ndalimit, gjatë kontrollit fizik, shtetasit J.D iu gjet edhe një armë e ftohtë, e mbajtur pa leje, ndersa bashkë me të në mjet ndodhej edhe një pasagjer, shtetasi E. S., 20 vjeç, gjithashtu banues në Lezhë. Të dy janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Lezhës, ku ndaj drejtuesit të mjetit po kryhen hetime për disa vepra penale, përfshirë “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.Për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vlerësimin e përdorimit të armës së zjarrit nga efektivi, hetimet po vijojnë nga një grup i posaçëm nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.

Artikulli paraprakMURIQAN, MBI 24 MIJË HYRJE- DALJE NË 48 ORË
Artikulli tjetërNJIHUNI ME “SURPRIZAT” E MOTIT GJATË KËSAJ TË HËNE