Policia e Lezhës ka arritur të zbardhë përplasjen me armë të ndodhur mbrëmjen e së dielës në fshatin Rrilë, ku mbeti i plagosur berberi Sokol Daçi. Pas veprimeve hetimore të kryera në lidhje me këtë ngjarje, është arrestuar një efektiv policie, si dhe janë shpallur në kërkim katër persona të tjerë.Në pranga është vënë polici me iniciale B.K., për veprën penale “Shpërdorim detyre”, ndërsa janë shpallur në kërkim shtetasit me iniciale G.N., E.N., K.N. dhe M.N., për veprat penale “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit, municionit dhe lëndëve shpërthyese”.Sipas policisë, kanë qenë shtatë persona që mbrëmjen e së dielës kanë hyrë brenda berberhanes, duke u prezantuar si policë. Të kamufluar dhe me kapuç në kokë, rezulton se autorët kishin për qëllim dhunimin e 21-vjeçarit me iniciale M.N., me të cilin kishin pasur konflikt disa muaj më parë. Por, sapo kanë hyrë në ambientin e berberhanes, ku i riu po qethej, janë përballur me të shtëna me armë zjarri.Sipas të dhënave, krahas efektivit të policisë të arrestuar për shpërdorim detyre, dyshohet se ka qëlluar edhe njëri nga personat që ndodheshin brenda berberhanes. Në këto rrethana, njëri prej shtatë personave i është përgjigjur me breshëri automatiku, ku nga të shtënat mbeti i plagosur berberi Sokol Daçi.Policia vijon punën për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Artikulli paraprakNIS FAZA E DYTË E KONKURSIT KOMBËTAR TË GJUHËS SHQIPE
Artikulli tjetërAKTIVITET PËR 70 VJETORIN E BRUNO SHLLAKUT