
Policia e Lezhës ka arritur të zbardhë ngjarjen e ndodhur pasditen e së dielës në Balldren, ku u ekzekutuan me armë zjarri çifti i bashkëshortëve Kreshnik dhe Gentjana Mujeci.Sipas bluve, pas administrimit të të gjitha pamjeve filmike mbi itinerarin e lëvizjeve të viktimave dhe autorëve, si dhe analizimit të çdo prove materiale, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim tre persona të dyshuar për krimin e dyfishtë.Ata janë A. M, 22 vjeç, F. M, 36 vjeç dhe R. M, 23 vjeç. Në ngjarje janë përdorur 2 automjete, njëri prej të cilëve pa targa dhe ende nuk është arritur të identifikohet.
Tre personat e shpallur në kërkim për ngjarjen rezultojnë të jenë djali dhe dy nipat e Genc Mhillaj, i cili u ekzekutua me armë zjarri në vitin 2016 në zonën e Malit të Jushit në Shkodër.Për krimin e asaj kohe u arrestua Kreshnik Mujeci bashkë me të vëllanë, por Gjykata e Shkodrës i shpalli të pafajshëm dhe fituan lirinë.Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se vrasja e çiftit të bashkëshortëve në Balldren ka ndodhur për hakmarrje, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë atentat.






