
Policia e Shtetit ka zbuluar dhe goditur 3 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit në zonat e Laçit dhe Milotit ne Kurbin, ku ambientet ishin përshtatur me makineta dhe tavolina pokeri.Operacioni i koduar “Rastet”, u organizua mbi bazën e informacioneve të siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe çoi në zbulimin e këtyre aktiviteteve të paligjshme.Gjatë ndërhyrjes, shërbimet e Policisë sekuestruan 15 makineta, 3 tavolina pokeri, sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë të ndarë në doza, një shumë parash, si dhe sende të tjera që shërbenin për zhvillimin e lojërave të fatit.
Në kuadër të operacionit u arrestuan shtetasit Shkëlzen Preni, 21 vjeç dhe Dorjan Medha, 33 vjeç, ndërsa u procedua penalisht shtetasi S. Sh., 61 vjeç. Në një lokal në Laç, në pronësi të këtij të fundit dhe që dyshohet se administrohej në bashkëpunim me të arrestuarit, u gjetën 8 makineta, 2 tavolina pokeri dhe lëndë narkotike kokainë. Gjithashtu u arrestua shtetasi Y. V., 45 vjeç, pasi në lokalin e tij në Milot u gjetën pajisje që përdoreshin për lojëra fati si dhe U shpall në kërkim shtetasi Pjetër Lleshi, 31 vjeç, pasi në një ambient në pronësi të tij në Milot u konstatuan 2 makineta, 1 tavolinë pokeri dhe pajisje të tjera.
Ndërkohë, pas këtij operacioni, Drejtori i Policisë Venndkre në Lezhë, Islor Islami, ka dhënë dorëheqjen nga detyra, qe e ushtronte prej muajit janar te ketij viti.






