Pentagoni ka pranuar për herë të parë ekzistencën e një prgrami të deklasifikuar për të hetuar Objektet Fluturuese të Paidentifikuara, ose ndryshe UFO. Lajmi është raportuar nga disa media amerikane. Programi, i filluar në 2007 është ndërprerë në 2012. Por ndjekësit e tij konfirmojnë se pavarësisht ndërprejeve të fondeve nga departamenti i mbrojtjes, programi vazhdon akoma.

Në 5 vitet e fundit, drejtues që lidhen me këtë nismë kanë vazhduar të hetojnë për disa episode që janë raportuar nga ushtarakët.

UFO-t kanë qenë vazhdimisht në qendër të hetimeve për dekada në Shtetet e Bashkuara, madje edhe nga ushtria amerikane.

Në 1947, aviacioni filloi një seri studimesh për të hedhur dritë mbi mbi 12 mijë objekte të supozuara të paidentifikuara përpara se të ndërpriste këtë aktivitet në vitin 1969. Programi, i cili përfshinte një studim të quajtur “Project Blue Book”, kishte arritur në përfundimin se shumica e zbulimeve ishin yje, re, avionë konvencionalë ose avionë spiunë, megjithëse 701 raste mbetën pa shpjegime.Por asnjë, ose shumë pak, kishin dijeni që Pentagoni kishte nisur një program të ri dhjetë vjet më parë, të pagëzuar “Programi i Identifikimit të Kërcënimit Hapësinor të Avancuar”.

Fillimisht u financua gjerësisht me kërkesë të Harry Reid, në atë kohë ishte kreu i shumicës demokratike në Senat dhe i apasionuar rreth fenomeneve hapësinore.

Pjesa më e madhe e parave shkuan në një kompani hulumtuese për kërkimet hapsinore të drejtuar nga Robert Bigelou, i cili aktualisht punon me NASA dhe tha se ishte ‘absolutisht i bindur’ se ekzistojnë UFO-t të cilët kanë vizituar tokën.

Fenomene ajrore të paidentifikuara u raportuan nga pilotë dhe ushtarë të tjerë, sipas të cilëve ajo që kishin parë kundërshtonte ligjet e fizikës, me objekte që lëviznin me shpejtësi të lartë pa shenja të dukshme të shtytjes ose rrotullimit pa mjete të dukshme për të dalë në fluturim.

Një nga teoritë e mundshme për të shpjeguar fenomene të tilla, sipas një ish-anëtari të stafit parlamentar, është se ka pasur një fuqi të huaj, ndoshta Rusia apo Kina, të cilat kishin zhvilluar teknologji të reja gjenerimi që mund të kërcënonin SHBA. Por asnjë provë është gjetur.

Aq sa në 2012 u ndërprenë edhe financimet. I gjithë programi ka kushtuar 22 milionë dollare.