Ndërsa ka mbetur një orë nga përfundimi i procesit të votimit në vend, zëdhënësja e fushatës së PS, Bora Muzhaqi i ka bërë thirrje qytetarëve që ende nuk janë paraqitur në qendrat e votimit, që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.

Në një deklaratë për mediat, Muzhaqi, njëherazi edhe kandidate e PS për deputet, iu drejtua qytetarëve duke thënë se sot është dita kur ata flasin dhe politika hesht.

“Mbeten edhe minutat e fundit dhe kush nuk ka votuar ende të përfshihet në proces. Ushtrojeni të drejtën tuaj themelore në këtë ditë ku politika hesht dhe populli flet.

Sa më shumë të marrim pjesë në zgjedhje, aq më shumë politika i kushton rëndësi halleve dhe problemeve tona. Votoni, votoni, votoni!”, tha ajo.