Në një intervistë për Fox News amerikan, pak pas përplasjes me presidentin Donald Trump dhe zëvendëspresidentin e tij J.D. Vance gjatë takimit në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se do të ishte ‘e vështirë” për Ukrainën të përballojë pushtimin e forcave ruse pa mbështetjen amerikane.

“Prandaj jam këtu. Prandaj po flasim për negociatat e ardhshme. Do të jetë e vështirë pa mbështetjen tuaj. Nuk i detyrohem asnjë ndjesë Trumpit”, shtoi ai pas përplasjes në Shtëpinë e Bardhë.

“E falënderoj për ftesën dhe e respektoj”, tha Zelensky duke nënvizuar se “disa biseda nuk duhet të zhvillohen përpara mediave, me gjithë respektin për demokracinë dhe shtypin e lirë”.

“Unë dua paqe, prandaj erdha këtu për të takuar presidentin Trump. Nuk mjafton të thuhet ‘armëpushim’, ne duam një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme” U shpreh presidenti ukrainas, duke iu përgjigjur në mënyrë indirekte Trumpit, i cili më parë kishte thënë se Zelensky “nuk është ende gati për paqen”.

“Jam shumë mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e tyre. Na keni ndihmuar të mbijetojmë”, tha presidenti ukrainas, duke shtuar: “Respektoj presidentin dhe popullin amerikan”.

Presidenti i Ukrainës u përgjigj me “po, natyrisht” kur gazetari i Fox News e pyeti, në përfundim të intervistës, nëse besonte se marrëdhënia me Donald Trump mund të shpëtohej pas përplasjes në Shtëpinë e Bardhë.

Artikulli paraprakSOT PRIMARET NË PD, JA EMRAT E KANDIDATËVE NË 12 QARQET E VENDIT
Artikulli tjetërTË TRETËT NË EUROPË/ 44 MIJË SHQIPTARË MORËN SHTETËSI NË BE MË 2023