Volodymyr Zelensky ka shkarkuar nga detyra shefin e Shërbimit të Sigurisë Ivan Bakanov dhe prokuroren e Përgjithshme Iryna Venediktova, funksionet e së cilës i janë besuar zëvendësprokurorit të deritanishëm, Gjenerali Oleksiy Symonenko.

Presidenti Volodymyr Zelenskyy, në komunikimin e tij të përnatshëm ka dhënë edhe arsyet e shkarkimit të tyre nga detyra. Sipas Zelenskyt, janë mbledhur prova të mjaftueshme dhe te dokumentuara se kanë kryer tradhti ndaj vendit.

Në deklaratë, Zelensky, pa përmendur me emër Venediktovën dhe Bakanovin, tha se “veprimet specifike dhe çdo mosveprim i zyrtarëve në sektorin e sigurisë dhe në agjencitë e zbatimit të ligjit do të vlerësohen”.

Ai tha se “deri sot, 651 procedime kriminale janë regjistruar sa i përket tradhtisë dhe aktiviteteve kolaboracioniste të punonjësve të Zyrës së Prokurorit, organeve të hetuesisë dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit”.

“Në veçanti, mbi 60 punonjës së Zyrës së Prokurorit dhe SBU-së gjenden në territoret e pushtuara dhe tani po punojnë kundër shtetit tonë. Një grup i tillë krimesh kundër themeleve të sigurisë kombëtare të shtetit dhe lidhjet e regjistruara midis forcave të sigurisë së Ukrainës dhe shërbimeve të posaçme të Rusisë ngrenë pyetje serioze për udhëheqësit përkatës”, tha Zelensky.

Ministri i Jashtëm rus Serghei Lavrov e quajti statusin e kandidatit në BE për Ukrainën një “lëvizje gjeopolitike kundër Rusisë”.