Zeqo reagon për monumentet e Gjirokastrës:U hoqën nga lista 236. Ministria e Kulturës: Shtuam 239

Shkrimtari dhe arkeologu Moikom Zeqo ka reaguar për Report Tv rreth debatit që është hapur pak ditë më parë për heqjen nga lista të 236 monumenteve. Ministria e Kulturës pas këtij debati solli një reagim se monumentet janë shtuar dhe nuk janë hequr, por Zeqo e kundershton këtë argument, duke përmendur se bëhet fjalë për shumë shtëpi tardicionale të kategorise së dytë që janë hequr nga lista. ‘’E vërteta është aq e thjeshtë sa është ulëritëse në thjeshtësinë e saj. Janë shumë të rëndësishëm monumentet e kategorisë së dytë, që janë gati 500. Në një mënyrë të çuditshme, megjithëse listat janë dërguar nga shteti shqiptar, shteti mban përgjigjësinë juridike edhe shkencore për listën që ka aprovuar UNESCO. Ministria e Kulturës bën një rivlerësim dhe e heq nga kjo listë që është publike, heq 236 monumente me një arsyetim që ngjan spekulativ që një pjesë e këtyre monumenteve nuk kanë pasur vlerësim juridik’’,-u shpreh Zeqo. Profesor Zeqo është edhe anëtar i grupit te këshillit për monumentet ne Gjirokastër dhe pohon se sqarimi i ministrisë ështe vetëm një shkresë burokratike, ndërsa ata që merren me trashëgiminë, arkeologët dhe specialistët duhet të ngrenë zërin. ‘’Si u bë kjo gjë? Duhet mbledhur specialistët, u pyetëm ne të tjerët që jemi marrë me këtë çështje? Nuk është bërë asnjë shoshim institucional paraprak shkencor. Nuk u krijua një komision i posaçëm’’,-u shpreh Zeqo. Më tej Zeqo thotë se lista e monumenteve, që sipas tij rezultojnë të hequra nga lista ka qenë e shpallur nga qeveria dhe eshte ne gjuhën frenge në listën e Unesco-s.