Kontributi i grave shkodrane në ndërtimin dhe zhvillimin e jetës qytetare, sociale e kulturore të Shkodrës u vu në fokus të aktivitetit “Zërat e grave që formësuan qytetarinë shkodrane”. Veprimtaria mblodhi aktiviste, studiuese dhe përfaqësuese të shoqërisë civile, të cilat sollën në vëmendje figurat femërore që kanë lënë gjurmë në historinë e qytetit dhe kanë luajtur një rol të rëndësishëm në emancipimin e shoqërisë.

Përmes diskutimeve dhe referimeve, u evidentua ndikimi i grave në procese të rëndësishme shoqërore dhe kulturore, si dhe përpjekjet e tyre për të forcuar praninë e gruas në jetën publike.

Një hapësirë e veçantë iu kushtua figurës së Shaqe Çobës, e njohur si themeluesja e organizatës së parë të grave në Shkodër dhe një nga personalitetet më të spikatura që kontribuoi në fuqizimin dhe përfaqësimin e grave shqiptare. Pjesëmarrëset ndanë vlerësime mbi trashëgiminë që ajo dhe shumë gra të tjera shkodrane kanë lënë ndër breza.

Në përfundim të aktivitetit, u theksua rëndësia e ruajtjes së kujtesës historike dhe promovimit të modeleve frymëzuese femërore, si një mënyrë për të nxitur pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në jetën sociale, kulturore dhe politike të vendit.

Artikulli paraprakFLUKS PUSHUESISH NË BREGDETIN E LEZHËS
Artikulli tjetërHEQJA E FLAMURIT TË AMBASADËS SË IZRAELIT NGA PROTESTUESIT NË TIRANË, REAGON MINISTRIA E JASHTME: AKT I TURPSHËM DHE I PAPRANUESHËM