
Galeria ODA në Shkodër u kthye në një hapësirë takimi mes artit, ngjyrave dhe emocioneve, me çeljen e ekspozitës personale “Zëri i Ngjyrës” të artistit nga Maqedonia e Veriut, Bashkim Mexhiti.
Për herë të parë para publikut shkodran, Mexhiti prezantoi një përzgjedhje veprash që pasqyrojnë rrugëtimin e tij të gjatë krijues në pikturë dhe skulpturë. Ekspozita tërhoqi artdashës, artistë dhe dashamirës të kulturës, të cilët patën mundësinë të njihen nga afër me botën artistike të autorit, ku ngjyra dhe forma ndërthuren në një dialog të veçantë emocional.
Një nga themeluesit e Fakultetit të Arteve në Universiteti i Tetovës dhe profesor me një karrierë mbi tri dekada, Bashkim Mexhiti vlerësohet për kontributin e tij në artin bashkëkohor shqiptar. Krijimtaria e tij është prezantuar ndër vite në galeri dhe qendra të rëndësishme artistike në Evropë dhe më gjerë.
Ekspozita “Zëri i Ngjyrës” solli në Shkodër jo vetëm veprat e një artisti me përvojë të spikatur, por edhe një urë komunikimi kulturor mes artistëve dhe publikut, duke pasuruar më tej jetën artistike të qytetit.


