
Lëvizja Qytetare Ura dhe koalicioni “Fillim i Ri” tregoi rritjen e fuqisë elektorale dhe qytetare, duke mbledhur në Plazhin e Vogël, mijëra njerëz të moshave të ndryshme nga anembanë komuna e Ulqinit.
Mesazhe të shkurtra motivuese dhe bashkuese të dy liderëve Dritan Abazi dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, u përcollën në një atmosferë elektrizuese krijuar nga artistët Flori Mumajesi, Klajdi Haruni, Eliza Markiq dhe Slaven Djukanovic.
“Koalicioni “Fillim i ri” është bashkimi. Harrojini partitë, harrojini dallimet, të punojmë të gjithë gjithë së bashku për Ulqinin”, u shpreh lideri i Lëvizjes Qytetare Ura, Dritan Abazi.
Kandidati i koalicionit për Komunën e Ulqinit, Omer Bajraktari u shpreh se “fushata jonë ka qenë pozitive, përbashkuese, dhe gjithçka u finalizua me një koncert dedikuar rinisë dhe qytetit”.
Në përkrahje të kandidatit Bajraktari, Ulqinin e vizitoi Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
“Ky është një fillim i ri edhe për marrëdhenien mes Tiranës dhe Ulqinit për t’u afruar, për të bashkëpunuar e për të dashur më shumë njëri-tjetrin”, u shpreh Veliaj.
Ansambli i Ulqinit me Dum Sharavelin, ishte qershia mbi tortë në natën përmbyllëse të fushatës, ku fishekzarret treguan dritën e ndryshimit.
“Gjatë këtyre ditëve na është përcjellë një frymë optimizmi për të ardhmen e qytetit. Dhuratë më të mirë nuk i ka bërë kush Ulqinit”, u shpreh një zonjë e pranishme.
Ditën e diel zhvillohen zgjedhjet lokale në Komunën e Ulqinit, komuna më e madhe me shumicë shqiptare në Malin e Zi, me koalicionin “Fillim i Ri” të avantazhuar për të arritur fitoren. Do të ishte hera e parë që qeverisja lokale e Ulqinit dhe ajo qendrore do të drejtoheshin nga shqiptarë.