Qytetarët e Kosovës që jetojnë në diasporë kanë nisur votimin në përfaqësitë diplomatike për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Votimi nisi në orën 07:00 në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në shtetet e Evropës, ndërkaq në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada do të nisë në orën 13:00, sipas kohës lokale në Kosovë. Votimi zhvillohet në 43 vendvotime në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës, që gjenden në 19 shtete të ndryshme të botës.

Kjo është hera e parë që emigrantet mund të votojnë fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, tha në një konferencë për media se për të votuar në përfaqësitë diplomatike të Kosovës janë regjistruar 20.324 votues.

Për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, të drejtë vote brenda dhe jashtë Kosovës kanë mbi 2 milionë votues.

Ndërkaq, nga 9 janari e deri më 8 shkurt, mërgata ka mundur të votojë edhe përmes postës. KQZ ka njoftuar më herët se 104.934 votues janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës dhe 84.525 prej tyre zgjodhën që të votonin përmes postës.

Në garën për përbërjen e re parlamentare janë 28 subjekte politike dhe një kandidatë i pavarur. Qytetarët mund të zgjedhin një parti dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë.

Artikulli paraprakPD ORGANIZON SOT PROTESTË KOMBËTARE, ÇFARË PRITET TË NDODHË NË TUBIMIN PARA KRYEMINISTRISË
Artikulli tjetërRAMA PËR “EL MUNDO”: AFGANËT NËSE DUAN MUND TË QËNDROJNË! PËR ZGJEDHJET NË KOSOVË S’KAM PREFERENCË! TIKTOK, SHUMË TOKSIK, PEZULLIMI PUNË DITËSH