Votuesit përcaktuan qeverisjen e 61 bashkive dhe këshillave bashkiakë, ndërsa administratorët për shkak të ndarjes së re territoriale do të emërohen nga kryetarët e Bashkive, natyrisht me bekimin e partive që ato përfaqësojnë.

Kjo përbën një arsye të fortë që dy partitë e mëdha të nisin ndarjen e pushtetit të dytë vendor. mësohet se Partia Socialiste dhe Partia Demokratike do të ndajnë pushtetin me aleatët në bazë të përqindjes me votë, sipas rezultatit të 21 qershorit në çdo Bashki. Kjo do të thotë se nëse një forcë politike ka marrë 30% të votave në një Bashki do të marrë 30% të administratorëve.
PS DHE PD, NEGOCIATA ME ALEATËT PËR POSTET NË BASHKI.
Në kampin e majtë qeverisës ku fitorja ishte e thellë, mësohet LSI dhe PDIU do të përfitojnë më shumë pushtet në rrafshin e administratorëve për tu ndjekur më pas nga FRD dhe aletatët tradicionalë PDS dhe PSD. Edhe Partia Demokratike ndonëse nuk ka shumë Bashki për të ndarë, raportin me aletatët ka vendosur ta ndajë në bazë të rezultateve të tyre. Proçesi i emërimit të administratorëve në Bashkitë që do të qeverisen nga demokratët do të nisë në muajin shtator por formula është përcaktuar që tani. PR është aleatja kryesore e PD, e cila mund të marrë edhe më shumë poste në nivelin e dytë të administratës vendore. Por emërimet e administratorëve në Bashkinë e Tiranës, më e madhja në vend duket se do të kenë një vëmendje të posaçme. Ndërkohë mësohet se LSI, PDIU dhe FRD kanë kërkuar të kenë përfaqësi me nënkryetarë në Bashkinë e kryeqytetit që do të thotë se PS mund të lëshojë pushtet në nivelin e dytë të Bashkisë pasi ka shumë gjasa që të mos ketë nënkryetar.