Mesnatën e sotme përfundon afati për regjistrimin e diasporës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Komisioni Rregullator i KQZ dështoi dhe nuk miratoi dot ndryshime në aktin nënligjor, as për të lejuar KQZ-në të pranojë aplikime të reja nga diaspora pas mesnatës së sotme, siç kërkoi PD. Nga ana tjetër, KQZ nuk do të lejohet që të kontaktojë e t’u japë një shans tjetër atyre që janë në sistem, por figurojnë si të refuzuar. 42.300 votues nga jashtë janë deri më tani të refuzuar.

Deri më tani, 5 orë larg mbylljes së portës së platformës online, rezultojnë:
* 287,456 Zgjedhës (unikë) që kanë bërë kërkesë për regjistrim
* 229,875 Zgjedhës (unikë) të cilëve u është miratuar kërkesa
* 42,321 Zgjedhës (unikë) të cilëve u është refuzuar kërkesa
* 15,256 Në shqyrtim
* 5,359 Aplikime vetëm sot
I vetmi shans për të refuzuarit, është pas datës 9, kur del lista paraprake e zgjedhësve nga jashtë. Pas këtij momenti, të gjithë ata që janë në sistem, si të pranuar ose të refuzuar, kanë 48 orë kohë për saktësime të mëtejshme.

Neni 25, pika 7 e Kodit Zgjedhor, ngel shpresa e vetme e atyre që kanë një llogari në PER dhe janë refuzuar.

“Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, 63 ditë përpara datës së zgjedhjeve, publikon listën paraprake të zgjedhësve që votojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, me qëllim që zgjedhësit brenda 48 orësh nga publikimi i saj të mund të kërkojnë regjistrimin apo rregullimin e pasaktësive të regjistrimit të tyre. Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, 60 ditë para datës së zgjedhjeve, miraton dhe publikon në faqen zyrtare të internetit të KQZ-së listën përfundimtare të zgjedhësve që votojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Lista e zgjedhësve pas përfundimit të procesit nuk ndryshon në asnjë rrethanë dhe për asnjë shkak pas afatit të parashikuar në këtë pikë, me përjashtim të rastit të parashikuar në pikën 8 të këtij neni”, thuhet në nenin 25, pika 7 e Kodit Zgjedhor.

Regjistrimi për diasporën u hap më datë 11 janar dhe mbyllet mesnatën e 4 marsit. PD në momentin e fundit kërkoi shtyrjen e afatit deri më datë 9 mars, duke e vënë Komisionin Rregullator sot në lëvizje përmes një kërkesë të anëtarëve të opozitës për shtyrjen e afatit për regjistrim, por palët nuk ranë dakord.

PD donte shtyrjen e afatit të regjistrimit jo vetëm 42 mijë të refuzuarit, por edhe për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë. PS dhe kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ishin dakord që të shtyhej afati deri më datë 8 mars, vetëm për 42 mijë të refuzuarit dhe t’i ndihmonin ata të regjistroheshin, por dakordësia nuk u gjet në mbledhjen e Komisionit Rregullator të KQZ.

Artikulli paraprakZELENSKY: TAKIMI ME TRUMP NUK SHKOI SIÇ DUHEJ, POR JEMI GATI PËR BASHKËPUNIM DHE PAQE
Artikulli tjetërKQZ-JA NË KOSOVË NUMËRON TË GJITHA VOTAT ME POSTË, LËVIZJA VETËVENDOSJE MBETET E PARA