Deputetja e Shkodrës Mimoza Hafizi një kohësh edhe akademike në universitetin e Tiranës hedh dyshime dhe kritikon jo vetëm këto zgjedhje në universitete por edhe ato që janë bërë prej 25 vitesh.

Në një të përditshme është shfaqur me një opinion të saj të titulluar “Këto Zgjedhje Universitare”. “A ishte demokracia zgjedhore rruga më e mirë për universitetet tona?”-pyet deputetja Hafizi teksa vijon më tej “Ky reflektim ndizet e këto debate nxehen sidomos kur zgjedhjet afrohen dhe në ofertën universitare të emrave që i propozohen procesit, shfaqen e rishfaqen të njejtët njerëz, që ndërrojnë postet e karriket, por janë prej dekadash, ngjitur pullë, aty ku e nisën 20 vjet më parë. Njerëz me CV të varfëra në libra, artikuj e konferenca, por të pasura në akuza për abuzime, në procese të hapura e në procese të mbyllura. Ky reflektim e ky debat do të ishin të pakuptimtë në një shtet demokratik me politikë normale. Në një shtet me mekanizma që s’do e linin menaxhimin universitar të degradonte në abuzim. Me një politikë që nuk do e ngacmonte universitetin në rrjedhën e vet profesionale e demokratike. Po kjo nuk ndodhi tek ne. Shumë drejtues universitarë arritën të mbijetojnë në saje të mbështetjes politike, apo në saje të modeleve që politika ka mbjellë e rritur: njerëz që fitojnë pushtet, përmes tij shpërndajnë favore e grumbullojnë parà, favore e parà që më pas përdoren për të fituar pushtet”-shprehet deputetja Hafizi. Edhe kësaj here mendon se asgjë s’do ndryshojë në zgjedhjet universitare. “A thua kësaj here rrota dotë thyhet, të paktën në universitet? Për dreq mendoj se gjasat janë tepër të vogla. Politika nuk ia dha këtë mundësi universiteteve. Betimi ynë para njerëzve se kur të marrim pushtetin do i çlirojmë universitetet nga rektorët e dekanët abuzues, nga ata që jemi ngjirur duke denoncuar për afera të dyshimta sa kohë ishim në opozitë, ky betim doli i rremë. Që prej vitit 2013, asgjë nuk ndodhi në universitetet publike. Të njejtit njerëz vazhduan të njejtën punë. Kastat u ngurtësuan edhe për tre vjet më shumë. Gjithsesi, mbetet që shpresa të mbahet gjallë nga brenda universitetit. Me besim dhe kurajo. Pa pritur që diçka e mirë mund të vijë nga jashtë. Mos e prisni këtë! Se kjo soj politike nuk e ka dashur asnjëherë dijen dhe shpirtin e lirë intelektual. Se kjo soj politike e sheh suksesin në proporcion me mungesën e shkollimit- jo profesorëve! Republika jonë politike sot nuk ka nevojë për dijetarë, kolegë profesorë, por ruajeni e mbajeni fort universitetin tuaj, si shpresa e dijes,ku patjetër një ditë do të ankorohet dhe politika shqiptare” e mbyll opinionin e saj deputetja Hafizi.

Artikulli paraprakTATIMET, DREJTORI HYSA: NIS PËRGATITJA PËR SEZONIN TURISTIK
Artikulli tjetërARRESTIMI I SHULLAZIT, TAHIRI: TË PARAT ZGJEDHJE TË LIRA NË UNIVERSITETE