Oerd Bylykbashi, përfaqësues i Partisë Demokratike në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore deklaroi se palët kanë gjetur dakordësi për dy nga kërkesat, që është identifikimi biometrik si dhe financimin e partive. Pak pas përfundimit të mbledhjes, demokrati theksoi se me këto ndryshime, kutitë e votimit do të jenë të mbrojtura.

Ai tha mes të tjerash se nesër do të mblidhet sërish Këshilli Politik, ku do të ketë diskutime për çështjet e hapura.

“Diskutuam dy çështje të rëndësishme, identifikimi biometrik që është çështja kryesore e nënshkruar në Këshillin Politik si dhe financimin e partive politike. Sot diskutojmë për të gjetur garancitë dhe ajo që do të sjellë në draftin përfundimtar është identifikimi biometrik, që do të jetë në të gjitha qendrat e votimit. Kutitë e votimit do të jenë të mbrojtura. Çështja e dytë është financimi i partive politike. Sot ramë dakord për paketën e financimit të partive politike në fushatën zgjedhore. Ne kërkojmë që të gjejmë zgjidhje për fushatën. Në këtë kod kemi rënë dakord që të ketë reduktim të financimit privat dhe reduktim të shpenzimeve, ku 3-fshi do të jete vetëm 3-fishi i financimit publik. Sot partitë kanë të drejtë të shpenzojnë 10-fishin e parave që marrin nga privati. Nesër Këshilli Politik mblidhet sërish për çështje që janë të hapura.”,- tha Bylykbashi.