Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale i është bashkuar Javës Europiane të Parandalimit të Kancerit të Qafës së Mitrës që do të mbahet në datat 19-25 janar. Këtë vit, do të zgjerohet fasha e moshës për gratë që përfitojnë nga Programi Kombëtar i Depistimit, duke përfshirë moshën 35-55 vjeç.

Ndërgjegjësimi për parandalimin, diagnostikimi i hershëm dhe ulja e rrezikut afatgjatë janë synimet kryesore të kësaj nisme.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, përmes Institutit të Shëndetit Publik i bashkohet edhe këtë vit fushatës Java Europiane e Parandalimit të Kancerit të Qafës së Mitrës, për të rikujtuar se parandalimi shpëton jetë. Ky është një moment i rëndësishëm për të rritur ndërgjegjësimin mbi kancerin e qafës së mitrës dhe rëndësinë e veprimeve të hershme për shëndetin e grave.
Duke u mbështetur në përvojën e Programit Kombëtar të Depistimit të Kancerit të Qafës së Mitrës, i cili zbatohet nga ISHP, si dhe në praktikat më të mira ndërkombëtare, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka vendosur që në vitin 2026 të zgjerojë fashën e moshës për gratë që përfitojnë nga programi, duke përfshirë tani grupmoshën 35–55 vjeç. Ky zgjerim synon të nxisë ndërgjegjësimin dhe përfshirjen e grave në programin e depistimit, të rrisë mundësitë për diagnostikim të hershëm të kësaj sëmundje, si dhe të ulë rrezikun afatgjatë të saj.

Kanceri i qafës së mitrës është një nga kanceret që mund të parandalohet pothuajse plotësisht, përmes vaksinimit kundër HPV-së dhe depistimit të rregullt.

Për më shumë informacion mbi Programin Kombëtar të Depistimit dhe vaksinimin kundër HPV-së, qytetarët mund të vizitojnë faqen e Institutit të Shëndetit Publik ose të komunikojnë me qendrën e tyre shëndetësore më të afërt”, thuhet në njoftim.

Artikulli paraprakSESIONI I RI PARLAMENTAR NIS ME ULTIMATUME, RAMA PARALAJMËRON NDRYSHIM RREGULLOREJE
Artikulli tjetërAKSIDENTI HEKURUDHOR NË SPANJË ME 39 TË VDEKUR, RAMA: NË EMËR TË POPULLIT SHQIPTAR SHPREH NGUSHËLLIMET PËR FAMILJET E VIKTIMAVE