Situata hidrologjike në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet e qëndrueshme dhe nën monitorim të vazhdueshëm nga strukturat përgjegjëse. Sipas të dhënave zyrtare, nivelet e ujit janë nën kuotat kritike dhe nuk ka banesa me prezencë uji në brendësi të tyre.
Sipërfaqja totale e tokës bujqësore me prani uji vlerësohet rreth 945 hektarë, kryesisht në Njësinë Administrative Ana e Malit me rreth 600 hektarë, Velipojë 195 hektarë, Dajç 120 hektarë dhe Bërdicë rreth 30 hektarë. Prania e ujit është e kufizuar në sipërfaqe të hapura bujqësore.
Në zonën e Obotit, uji është i pranishëm vetëm në oborre dhe nuk ka depërtuar në banesa. Qarkullimi është i garantuar përmes mjeteve të Ushtrisë, ndërsa kalimi me automjete të zakonshme mbetet i bllokuar për shkak të rritjes së nivelit të ujit në rrugë.
Situata e lumenjve paraqitet e kontrolluar. Niveli i Bunës në Dajç është 6.64 metra, ndërsa në Urën e Vjetër të Bunës arrin në 8.70 metra, rreth 50 centimetra nën kuotën kritike. Në Urën e Bahçallëkut, lumi Drin shënon kuotën 7.70 metra, rreth 2.30 metra nën nivelin e rrezikut.
Hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë dhe pa ndërprerje, duke mbajtur nivelet e ujit në kuota të sigurta. Furnizimi me energji elektrike është normal dhe argjinaturat, kanalet kulluese si dhe shkarkuesat e Digës së Rezervuarit të Shkodrës nuk paraqesin problematika apo rrezik për përmbytje.
Autoritetet konfirmojnë se monitorimi në terren vijon pa ndërprerje dhe situata mbetet nën kontroll.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakRRITET KUOTA E FIERZËS,SHKARKIME NGA KOMANI DHE VAU DEJËS
Artikulli tjetërIZOLOHET OBOTI, FSHATI KTHEHET NË ISHULL