
Pas protestave të banorëve të Mirditës, Matit dhe Dibrës, është marrë një vendim përfundimtar për ndërtimin e segmentit Perlat-Lure. Ky projekt i rëndësishëm infrastrukturor, i cili ishte ndërprerë për shkak të problemeve teknike dhe financiare, pritet të rifillojë së shpejti, duke sjellë përfitime të mëdha për banorët e zonës dhe vizitorët e Parkut Kombëtar të Lurës. Sipas autoriteteve, pengesat që kishin bllokuar vazhdimin e punimeve janë tejkaluar përmes një marrëveshjeje të re me një kompani tjeter e cila ka marrë përsiper realizimin e këtij projekti mjaft të rëndësishem infrastrukturor.
Kjo rrugë, e cila është një arterie kryesore për zhvillimin turistik dhe ekonomik të rajonit, do të përfundojë sipas standardeve më të larta, duke lehtësuar ndjeshëm lëvizjen dhe lidhjen e Lurës me pjesën tjetër të vendit. Banorët e zonës kanë mirëpritur këtë zhvillim, duke shpresuar që puna të vijojë pa vonesa të mëtejshme dhe që projekti të përfundojë brenda afateve të përcaktuara. Nga ana tjetër, institucionet përgjegjëse kanë premtuar monitorim të rreptë të punimeve për të siguruar cilësinë dhe zbatimin korrekt të projektit. Me këtë hap të rëndësishëm, rruga Mirditë-Lurë me gjatësi 40 km pritet të bëhet realitet, duke i dhënë një shtysë të re zhvillimit të zonës dhe përmirësimit të jetës së banorëve lokalë.