
*NJOFTIM PËR MEDIA*
Prefekti i Qarkut Shkodër informon se gjatë orëve të fundit janë marrë një numër i konsiderueshëm telefonatash nga qytetarë në sallën operative të Komisariatit të Policisë Shkodër, ku raportohet se disa familje, përfshirë edhe fëmijë, ndodhen të bllokuara në segmente të ndryshme rrugore.
*Bllokimet janë evidentuar në akse të ndryshme rrugore, nga zona e Bunit të Bajraktarit deri në zbritje në drejtim të qytetit të Koplikut.* Aktualisht, në këtë aks rrugor po bien reshje breshëri të alternuara me dëborë dhe ka filluar formimi i ngricave, duke e vështirësuar ndjeshëm qarkullimin rrugor.
Sipas raportimeve, mbi 200 mjete po tentojnë të lëvizin në drejtim të qytetit të Koplikut.
• Nga informacionet e fundit të administruara nga strukturat operacionale në terren informohemi se aksi
rrugor Qafë Thore–Bogë është zhbllokuar dhe qarkullimi po vijon normalisht.
• *Aksi rrugor Selcë–Qafë Berdelëcit paraqet probleme për shkak të ngricave të shumta, disa automjete janë kthyer në fshatin Tamare.*
Në terren ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore dhe mjetet borëpastruese, të cilat janë në koordinim të vazhdueshëm për menaxhimin e situatës dhe garantimin e sigurisë së qarkullimit rrugor.
Prefekti i Qarkut është në ndjekje të vazhdueshme të situatës dhe ka kërkuar koordinim të menjëhershëm mes strukturave përgjegjëse për normalizimin e qarkullimit dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.
Në këtë kuadër, apelohet për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin lëvizjet e panevojshme në akset problematike dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë. Në rast nevoje ose problematikash, qytetarët ftohen të komunikojnë menjëherë me Policinë e Shtetit ose shërbimet e emergjencave.






