
Vazhdimisht në Shkodër janë shfaqur problematika të shumta sa i takon amortizimit të rrjetit elektrik. Ndërkohë, nuk kanë munguar as rastet kur banorët janë ndjerë të rrezikuar si pasojë e amortizimit të rrjetit. Armand Zhuka drejtor i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike rajoni Shkodër bën me dije se gjatë vitit 2025 do të ndërhyhet në të gjitha linjat e vjetra në mënyrë që banorët e qarkut të Shkodrës, të mos kenë më probleme me shkëputjen e energjisë elektrike apo të ndihen të rrezikuar.
Lidhur me uljen e çmimit të energjisë elektrike me 1 lekë për kilovat, Zhuka tha se nga kjo masë pritet të përfitojnë 60 mijë abonentë.
Pas shqetsimeve të ngritura ndër vite nga banorët sa i përket amortizimit të rrjetit elektrik, duket se tashmë problemet e tyre do të marrin fund. Përgjatë vitit 2025, pritet që Osshe të ndërhyjë në riparimin e rrjetin elektrik në zonat ku situata paraqitet më problematike, duke ju ardhur në ndihmë banorëve të cilët prej vitesh vuajnë mungesën e energjisë elektrike.