Zhvendoset pa autorizim skafi në afërsi të lumit Vjosë, nën hetim 33-vjeçari

Një mjet lundrues i tipit skaf është sekuestruar sot nga policia e Vlorës, që ka nisur hetimet edhe pronarin e saj, shtetas 33 vjeçar. Policia ka filluar procedimin penal ndaj këtij shtetasi pasi rreth orës 10:20, në grykëderdhjen e lumit Vjosë, është konstatuar në anë te detit një mjet lundrues tip skaf plastik, pa mbishkrime, me gjatësi 8 m dhe gjerësi 2.8 m, me një motor të markës “Yamaha”, në zotërim të Dh.B., i cili ka rezultuar se ka ndryshuar vendndodhjen. Për shkak të pamundësisë së këqyrjes në vendin e ngjarjes, mjeti u shoqërua për në pikën e bllokimit të mjeteve lundruese në SPKM Triport, Vlorë, për veprime të mëtejshme hetimore, njofton policia. Materialet do ti referohen Prokurorisë për veprën penale (neni 25) “Ndryshimi ose falsifikimi i karakteristikave të mjetit lundrues” (neni 29, pika 1) “Zhvendosja ose përdorimi i mjetit pa autorizim” i ligjit nr.8663, datë 18.09.2000 “Për regjistrimin, klasifikimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese me motor, me tonazh nën 20NT”, në ngarkim të shtetasit Dh.B.