Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër ka referuar disa raste në Prokurori, ku kanë nisur procedime penale për vepra të ndryshme.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve nisën procedimin në gjendje të lirë për dy shtetas nga Drenasi, D. H., 28 vjeç dhe A. H., 20 vjeç. Gjatë kontrollit në banesën që përdornin, Policia gjeti një sasi të dyshuar kanabisi dhe dy thika, të cilat u sekuestruan si prova materiale. Dy të rinjtë gjithashtu kundërshtuan dhe u konfliktuan fizikisht me punonjësit e policisë.

Po ashtu, procedim në gjendje të lirë nisi për A. D., 32 vjeç, banues në Durrës, pasi në PKK Muriqan, shërbimet e Policisë Kufitare i gjetën një sasi të dyshuar “Cannabis sativa”.

Nga ana tjetër, specialistët e Qarkullimit Rrugor nisën procedim penal për një 17-vjeçar, i cili u kap duke drejtuar motomjet pa leje drejtimi.

Ndërkohë, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me urdhrin e gjykatës”, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. T., 37 vjeç, banues në Shkodër.

Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë edhe shtetasit A. J. dhe B. M., pasi dyshohet se kanë prishur qetësinë publike në pallatin ku jetonin me qira.

Në Velipojë, tre shtetas nga fshati Reç – P. Sh., 72 vjeç, Rr. Sh., 62 vjeç dhe F. Sh., 47 vjeç – u proceduan penalisht pasi dyshohet se kanë kanosur me fjalë një 61-vjeçare, për një konflikt mbi një rrugë kalimi dhe kanal kullues.

Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.

Artikulli paraprakARQIPESHKVI SHKODRES GIOVANNI PERAGINE URON FESTËN E PASHKËS PËR BESIMTARËT ORTODOKS
Artikulli tjetërMESHA E SHENJTË E FESTËS SË PASHKËS ORTODOKSE