
Me resurse të shumta turistike, Njësia Administrative e Fushë-Kuqes në Kurbin po merr gjithnjë e më shumë vëmendje sa i përket investimeve. Rehabilitimi i rrugës që lidh autostradën Milot–Thumanë me zonën e Patokut dhe rikualifikimi i qendrës së Fushë-Kuqes janë disa prej ndërhyrjeve që po realizohen në këtë zonë, me financim të Bashkisë Kurbin dhe Këshillit të Qarkut Lezhë.Administratori i Njësisë Fushë-Kuqe, Kristo Martinaj, thotë se numri i vizitorëve vendas dhe të huaj në këtë zonë është gjithnjë në rritje, ku interesi më i lartë mbetet për Lagunën e Patokut.
Sipas tij, edhe për vitin 2026 janë planifikuar të realizohen një sërë investimesh në fshatrat e Njësisë Administrative Fushë-Kuqe.
Përmes përmirësimit të infrastrukturës synohet zhvillimi i mëtejshëm i turizmit në zonën e Fushë-Kuqes, e cila ka resurse të shumta natyrore.






