
Një vatër zjarri e dyshuar e qëllimshme është aktivizuar në Vukatanë, duke rrezikuar përhapjen drejt banesave, por ndërhyrja në kohë e forcave zjarrfikëse ka bërë të mundur izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Sipas tij, personi që dyshohet se ka ndezur zjarrin është shoqëruar në Policinë e Shkodrës.
Situata e zjarreve vijon të mbetet shqetësuese për shkak të temperaturave të larta. Vetëm në 24 orët e fundit, zjarrfikësit kanë ndërhyrë në 5 vatra zjarri në territor.
Ndërkohë, prej dy ditësh forcat zjarrfikëse të Shkodrës kanë qenë të angazhuara edhe në Ulqin, në ndihmë të kolegëve të tyre për përballimin e vatrave të zjarrit.
Beci ka shprehur mirënjohje për efektivët zjarrfikës për punën e tyre dhe u ka bërë apel qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, pasi temperaturat e larta kanë rritur ndjeshëm rrezikun e përhapjes së zjarreve.






