Nënë e bir u hodhën nga kati i tretë për t’i shpëtuar flakëve që përfshinë apartamentin, por fatkeqësisht 62-vjeçarja ndërroi jetë ndërsa djali i saj 36-vjeçar ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Ngjarja ndodhi në zonën e Astirit, herët në mëngjes në orën 05.55 dhe ishin fqinjët të parët që ndjenë tymin dhe njoftuan policinë dhe forcat zjarrfikëse.

Në pamundësi për të dalë nga dera, Hava Osmënaj, 62-vjeçe dhe Klodjan Osmënaj, 36-vjeç, në çaste paniku, janë hedhur nga dritarja për t’u shpëtuar flakëve.

Sipas dëshmive të banorëve, zjarri dyshohet të jetë i qëllimshëm. Djali, sipas banorëve të pallatit vuante nga depresioni, dhe kjo ka shtuar dyshimet, ndërkohë nuk janë konstatuar rrjedhje gazi apo bombola. Flakët brenda në apartament kanë përpirë çdo gjë, e madje edhe apartamenti ngjitur është djegur pjesërisht.

Ndërkohë një banore e pallatit, pohoi për mediat se 36-vjeçari ishte edhe problematik, pasi shpesh gjuante dhe hidhte edhe gjëra nga lart. Ajo thotë se e kishin denoncuar disa herë, por që asnjë nuk reagonte. Banorja tha se nga zjarri janë djegur edhe një djalë dhe një grua që ndodheshin një kat më lartë banesës ku ra zjarri dhe ndodhen në spital.

‘Rreth orës 05:55, në Astir, ka rënë zjarr në katin e 3-të një pallati. Dyshohet se në pamundësi për të dalë jashtë gjatë kohës së zjarrit janë hedhur nga lartësia( dritarja) shtetasja Hava Osmenaj, rreth 62 vjeçe dhe djali i saj Klodjan Osmenaj, 36 vjeç.

Si pasojë ka ndërruar jetë shtetasja Hava Osmënaj, ndërsa shtetasi Klajdi Osmënaj, ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.’- njofton policia.