
Zjarri i rënë prej mbrëmjes së të premtes në Malin e Shëngjinit, pranë lagjes “Sakë”, vijon të jetë aktiv, por me intensitet më të ulët. Forcat zjarrfikëse të Lezhës, si dhe ato të ardhura nga Vau i Dejës dhe Tirana, kanë punuar pa ndërprerje për vënien nën kontroll të flakëve, ndërsa në orët e mëngjesit të kësaj të shtune pati edhe ndërhyrje me helikopter nga ajri. Për shkak të erës dhe bimësisë së dendur, gjatë gjithë natës situata ishte e vështirë. Terreni i thyer e vështirësoi ndërhyrjen e forcave në terren.
Operacioni për shuarjen e zjarrit, që nisi mbrëmjen e së premtes në malin e Shëngjinit, ka vijuar edhe gjatë ditës së sotme. Duke folur për situatën, kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, dhe drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, apeluan për kujdes të shtuar, jo vetëm nga institucionet, por edhe nga qytetarët.
Ndërkohë, lidhur me zjarrin në Shëngjin, Policia ka ndaluar një person, i cili dyshohet se shkaktoi flakët teksa po digjte mbeturina shumë pranë malit.


