Një zjarr i shpërthyer në metronë e Barcelonës ka shkaktuar panik mes pasagjerëve, duke lënë të lënduar 136 persona. Shumica e tyre kanë pësuar probleme shëndetësore për shkak të tymit të dendur që përfshiu tunelet e metrosë.

Ngjarja ndodhi në linjën L1 të metrosë, në zonën mes stacioneve Clot dhe Glòries, ku tymi u përhap me shpejtësi dhe detyroi autoritetet të ndërpresin qarkullimin dhe të evakuojnë udhëtarët.

Sipas shërbimeve të emergjencës, 129 persona kanë pësuar lëndime të lehta, ndërsa 7 të tjerë janë në gjendje të moderuar. Rreth 39 persona janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Pasagjerët përshkruan momente paniku, teksa tymi i dendur mbushi hapësirat e metrosë dhe vështirësoi daljen nga stacionet. Disa prej tyre përdorën dritat e telefonave për të gjetur rrugën drejt daljeve.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se zjarri nisi pasi një pjesë e veshjes së tunelit u shkëput dhe më pas mori flakë. Shkaku i plotë i incidentit mbetet ende nën hetim.

Për shkak të zjarrit, autoritetet pezulluan përkohësisht qarkullimin në linjat L1 dhe L2 të metrosë, ndërsa u ndryshuan edhe disa itinerare autobusësh në zonë.

Ngjarja ndodhi në një periudhë kur Spanja po përballet me temperatura të larta dhe zjarre në disa rajone, por deri tani nuk ka një lidhje të konfirmuar mes kushteve atmosferike dhe incidentit në metronë e Barcelonës.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakPUKË, U KONFLIKTUAN PËR PRONËN, 3 TË ARRESTUAR, 2 PROCEDOHEN PENALISHT
Artikulli tjetërPD ÇON NË KUSHTETUESE MARRËVESHJEN ME SHBA: U MIRATUA NË SHKELJE TË KUSHTETUTËS