
Një zjarr ka përfshirë pasditen e së martës një biznes rrobaqepësie në bulevardin “Gjergj Fishta”, në qytetin e Lezhës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Flakët shpërthyen në ambientet e biznesit, i cili ndodhet në katin e parë të një pallati, ndërsa për shkak të sasisë së madhe të materialeve tekstile dhe copave që ndodheshin brenda, zjarri u përhap me shpejtësi, duke rritur rrezikun edhe për objektet përreth.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje mbërritën forcat e shërbimit zjarrfikës të Lezhës, të cilat ndërhynë me shpejtësi dhe bënë të mundur lokalizimin dhe shuarjen e flakëve. Falë ndërhyrjes në kohë u parandalua përhapja e zjarrit drejt bizneseve dhe ambienteve të tjera pranë, duke shmangur pasoja edhe më të rënda.
Si pasojë e zjarrit janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në pajisje, materiale pune dhe mallra që ndodheshin brenda biznesit, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.
Grupi hetimor ka kryer veprimet e para në vendngjarje dhe, bazuar në të dhënat paraprake, dyshohet se shkaku i zjarrit ka qenë një defekt në një prizë elektrike. Hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi rrethanat dhe shkakun e plotë të ngjarjes.
https://youtu.be/zp91SgkkU28






